Këshilli i Ministrave ka vendosur që dita e diel, 2 nëntor 2025, të shpallet ditë zie kombëtare në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministrit dhe një prej figurave më të shquara të politikës shqiptare.
Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe homazhet kombëtare. Sipas vendimit të qeverisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet gjysmështizë.
Gjithashtu, në orën 12:00, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje në nder të tij, ndërsa Radiotelevizioni Publik Shqiptar do të transmetojë muzikë funebre gjatë zhvillimit të ceremonisë.
Programi i homazheve dhe ceremonisë shtetërore – Pallati i Kongreseve, Tiranë:
08:30 – 11:00 – Homazhe publike
11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet
12:05 – Ceremonia funebre shtetërore
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë.
Ish-kryeministri dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, Fatos Nano, u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.


