Një muaj pas aksidentit të rëndë që ndodhi në Fushë-Dukat, në aksin Orikum–Himarë, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë i riu Fadil Bodoj, 22 vjeç.
Sipas familjarëve, pas më shumë se një muaji trajtimi intensiv, i riu nuk arriti t’i mbijetonte komplikacioneve të rënda që pasuan plagët e marra në përplasje. Pas daljes nga spitali, gjendja e tij u përkeqësua për shkak të infeksioneve të rënda, dhe pavarësisht ndërhyrjeve të mjekëve, ai nuk mundi të shpëtonte.
Aksidenti ndodhi më 6 shtator, rreth orës 01:30 të natës, kur një “Audi” i drejtuar nga Bodoj u përplas me një “Fiat” që drejtohej nga 20-vjeçari Gabriel Lazemetaj. Nga përplasja u plagosën katër persona, mes tyre edhe Bodoj, i cili fatkeqësisht humbi jetën pas disa javësh luftë për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, shpejtësia e lartë dhe humbja e kontrollit nga një prej automjeteve dyshohet të kenë qenë shkaku i tragjedisë.
Policia dhe Prokuroria e Vlorës po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që i mori jetën një 22-vjeçari.


