JAPONI– Një tërmet i fortë ka goditur Japoninë të hënën në mbrëmje, duke shkaktuar disa valë cunami prej 70 centimetrash, plagosi të paktën 30 persona.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi se tërmeti me magnitudë 7.6 në det pranë prefekturës veriore të Aomorit në orën 23:15 mund të pasohet nga lëkundje të forta pasuese në ditët në vijim.
Sipas mediave të huaja, kryeministrja Takaichi i kërkoi popullsisë të marrë masa për të mbrojtur veten në rast të dridhjeve të mëtejshme. Midis të plagosurve ishte një person i plagosur rëndë në ishullin më verior të Hokkaidos, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive të Japonisë, e cila rekomandoi evakuimin urgjent të 28,000 qytetarëve nga shtëpitë e tyre. Pamjet e publikuara në mediat e huaja tregojnë xhama të thyer të shpërndarë nëpër rrugë.
“Kur e ndjemë tërmetin dhe u aktivizua alarmi, dolëm me nxitim nga shtëpia. Po mbanim fëmijët tanë, një vajzë dyvjeçare dhe një djalë njëvjeçar, në krahë. Tërmeti më kujtoi katastrofën në Fukushima në vitin 2011. Objektet ranë nga raftet dhe një lloj pluhuri ra nga tavani.”- tha për AFP-në Daiki Shimohata, 33 vjeç, një punonjës bashkiak në qytetin Hashikami, prefektura Aomori./Radar.al


