Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri sot me dije ekstradimin e Fabio Ballabanit, një person i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.
Përgjatë një konference për mediat, teksa gazetarët e pyesnin mbi grupet kriminale, Rrumbullaku njoftoi dhe mbi Fabio Ballabanin.
“Mund t’ju konfirmoj edhe vendimin për Fabio Ballabanin, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, tha Rrumbullaku.
Kush është Fabio Ballabani?
Fabio Ballabani ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, ku bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollanit, Kristaq Prifti, u kërcënua dhe dhunua brutalisht.
Me urdhër të Emiljano Shullazit, Fabio Ballabanin alias Fabio Zyberaj alias Ivi Zyberaj, kërcënoi dhe rrahu Priftin.
Gjyqtarja Dollani, ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar dosjen “Shullazi” dhe nuk pranoi të largohej edhe pasi i dhunuan e kërcënuan me armë bashkëshortin Kristaq Prifti.
Pavarësisht insistimit të saj për të çuar deri në fund procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit, një nga kolegët në Apelin e Krimeve të Rënda, vendosi largimin e Saida Dollanit nga trupa gjykuese dhe rrjedhimisht nga çështja.


