Përveçse emri i tij renditet në listën e Forbes, në mesin e njerëzve më të pasur në botë, Samir Manes i është dedikuar dhe një artikull nga revista prestigjoze në fjalë.
Forbes, në profilin e bërë të Manes, shkruan se si një person i cili ka një pasuri me shumë marramendëse mund të ngatërrohej lehtësisht me një nga blerësit e qendrës tregtare në Tiranë, TEG.
Edhe pse Mane është investitori kryesor i TEG, modestia e tij në paraqitje dhe pamjen fizike, teksa ecën përgjatë korridorit të TEG-ut të lë përshtypjen e një personi të thjeshtë, të cilin për asgjë nuk e ndryshoi rritja e pasurisë së tij.
“Kjo është pasuria jonë kryesore. Është 100% e dhënë me qira,” thotë me krenari, teksa numëronj një listë qiramarrësish, përfshirë shitës veshjesh si H&M dhe Zara, si dhe restorantin e parë të sushit në Shqipëri dhe disa prej bizneseve të tij, përfshirë një dyqan veshjesh, një dyqan lodrash dhe një zinxhir të pajisjeve elektronike.
“Njerëzit duan të prekin produktet. Ne kemi çdo biznes të prekshëm që ekziston në Shqipëri.”
Falë investimeve në shitjen me pakicë, pasuri të paluajtshme dhe bankë, Mane ka arritur të ndërtojë një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të Forbes, që i siguron një vend në listën e miliarderëve botërorë të Forbes 2025.
Pavarësisht çdo gjëje, ai nuk e kishte menduar ndonjëherë këtë gjë kur ishte thjesht një 23-vjeçar që ikte nga regjimi komunist shqiptar në vitin 1991.
“Nuk e kam menduar kurrë si të mundur. Ëndrra ime ishte të kisha një shtëpi timen ose një makinë,” thotë ai.
Sot, konglomerati i tij BALFIN Group operon në 10 vende dhe shënon një fitim neto prej 120 milionë dollarësh nga 880 milionë dollarë të ardhura në vitin 2024, me rritje përkatësisht 31% dhe 14% krahasuar me vitin 2023.
Mane është pronari i vetëm i grupit, por ka partnerë në qendrat tregtare, zinxhirët e shitjes dhe projektet e zhvillimit të pasurive të paluajtshme.
Vula e tij është e dukshme në të gjithë Tiranën, ku jeton që kur u rikthye në Shqipëri në vitin 2005. Gjithashtu ai zotëron Tirana Bank, bankën e pestë më të madhe në vend; zinxhiri i elektronikës Neptun është më i madhi në Shqipëri; dhe zotëronte edhe zinxhirin më të madh të supermarketeve deri sa e shiti për 48 milionë dollarë në mars.
Teksa shëtit rrugët e Tiranës me Mercedes-Maybach SUV të tij të zi, ai tregon lagjen Rolling Hills, një kompleks rezidencial luksoz që e ndërtoi vetë dhe ku zotëron një vilë prej 3,000 metrash katrorë.
“E bleva tokën në vitin 2008, ishte shumë e lirë në atë kohë,” thotë ai, duke parë drejt 153 vilave me stil neoklasik me pamje nga malet e Skënderbeut përreth.
Vlera e tokës në atë zonë është rritur më shumë se dhjetëfish që prej asaj kohe, dhe Mane ka vazhduar të ndërtojë.
Pranë ndodhet një tjetër projekt i grupit Balfin, Collina Verde, dhe një tjetër kompleks i madh është në ndërtim buzë një liqeni artificial, me kosto të pritshme prej 240 milionë dollarësh dhe përfundim në vitin 2028.
“Askush, as babai im, nuk besonte se do të funksiononte”. Pasuria e Samir Manes nuk ndalet në kufijtë e Shqipërisë. Ai zotëron dyqane në të gjithë Bosnjë-Hercegovinën, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë Skopje East Gate, qendra më e madhe tregtare në Maqedoninë e Veriut.
Përtej Ballkanit Perëndimor, ai ka filluar të investojë edhe në ndërtesa banimi dhe zyra në Austri dhe Kanada, si dhe në Nju Jork dhe Nju Xhersi.
Udhëtimet brenda vendit ishin të kufizuara rreptësisht, dhe Mane rrallë dilte jashtë qytetit të tij të lindjes deri sa shkoi në universitet në Tiranë në moshën 18-vjeçare, ku studioi gjeologji.
“Nuk e zgjodha unë gjeologjinë. Partia Komuniste vendoste se çfarë do të studioje,” kujton ai.
Gjatë viteve të universitetit, Mane blinte mish për të përgatitur qofte dhe i shiste për studentët për të fituar disa para shtesë, derisa pas gjashtë muajsh autoritetet e ndaluan.
Në vitin 1991, ende student, ai vendosi të arratisej nga vendi për një jetë më të mirë.
Mori një vizë austriake përmes një agjencie udhëtimi dhe bëri një udhëtim me autobus për 36 orë pa ndalesë drejt Vjenës, ku u regjistrua si refugjat.
(Më vonë mësoi se viza që kishte marrë ishte false, por askush nuk e ndaloi.)
Kaloi më shumë se gjashtë muaj në një kamp refugjatësh, duke mësuar gjermanisht në mënyrë autodidakte, deri sa u bë mjaftueshëm i aftë për të aplikuar në Universitetin Teknik të Vjenës për të vazhduar studimet në gjeologji. Ndërsa në vitin 1992, regjimi komunist në Shqipëri ra.
“Shqipëria u hap disi dhe njerëzit po vinin në Vjenë për të blerë elektronikë. Kështu që pashë një mundësi,” thotë ai.
Ai braktisi universitetin në vitin 1993 dhe filloi të përkthente për disa eksportues, para se të hynte vetë në biznes. Po atë vit, themeloi kompaninë Alba-Trade, e cila blinte videorekordera, radio, televizorë dhe pajisje shtëpiake në Austri dhe i dërgonte në Shqipëri.
“I shitëm të gjitha brenda tre orëve,” thotë ai. “Por në Austri, kuptova që mund të shesësh produktet në mënyrë të rregullt, në dyqane.”
Për të kuptuar më mirë biznesin, Mane lexoi libra jo vetëm nga Jack Welch, por edhe nga themeluesi i Walmart, Sam Walton. “Njëri më mësoi si të drejtoj biznesin me pakicë, tjetri më mësoi si të drejtoj një korporatë,” thotë ai.
Në vitin 1996, ai hapi dyqanin e parë Neptun për shitjen e televizorëve dhe pajisjeve shtëpiake në Tiranë. Dy vite më vonë u zgjerua në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, duke u bërë një nga të parët që hyri në këto tregje pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ’90.
Suksesi i Manes reflektoi edhe boom-in ekonomik të këtyre vendeve ndërsa kalonin drejt kapitalizmit: “Ai përfaqëson një nga konglomeratet më të mëdha në Shqipëri dhe është një tregues i rritjes ekonomike dhe ndryshimit që ka përjetuar vendi,” shton Martin Mata, bashkë-CEO i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AAEF), një fond investimesh jofitimprurës i krijuar në vitin 1995 për të ndihmuar tranzicionin e Shqipërisë drejt ekonomisë së tregut. Në fillim të viteve 2000, Mane kishte ndërtuar një perandori të elektronikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me 19 dyqane dhe 50 milionë dollarë të ardhura, duke siguruar shumicën e produkteve nga Azia.
Por duke parë suksesin e markave perëndimore dhe qendrave tregtare në Evropën Lindore post-komuniste, ai mendoi se mund ta realizonte të njëjtën gjë në Shqipëri. Në vitin 2005, ai u shpërngul me familjen nga Vjena në Tiranë për të hapur qendrën e parë tregtare në periferi të kryeqytetit. Për ta përforcuar qendrën tregtare, i duhej një supermarket. Kështu që Mane udhëtoi nëpër Evropë për të takuar drejtuesit e zinxhirëve të supermarketeve dhe për t’i bindur të hapnin dyqane në Shqipëri.
Në tetor të vitit 2005, ai hapi Qendrën Tregtare Univers në Tiranë, me një dyqan elektronikësh Neptun dhe pikën e parë të rrjetit të supermarketeve Euromax. Ditën e hapjes, rrugët ishin plot me makina dhe vetë Mane doli të drejtonte trafikun në parkimin e vogël. “Për të gjithë skeptikët, kishim mijëra njerëz që prisnin në autostradë,” shton Steven Grunerud, shefi financiar i BALFIN-it nga Kanadaja, të cilin Mane e punësoi në vitin 2007 nga banka austriake Raiffeisen për të profesionalizuar biznesin e tij.
Kur Mane vendosi më pas të hapte Tirana East Gate, një qendër edhe më e madhe tregtare, ai kishte dëshmuar që koncepti funksiononte dhe kishte fituar më shumë investitorë.
Mane ndërtoi mbi suksesin e tij duke marrë një rol gjithnjë e më të madh në ekonominë shqiptare. Shumë nga investimet e tij kanë rezultuar të suksesshme: Ai bleu Tirana Bank në vitin 2019 dhe 2020 nga banka greke në vështirësi, Piraeus Bank, për 64 milionë dollarë dhe sot kjo bankë, me 1.7 miliardë dollarë në asete, vlerësohet rreth 155 milionë dollarë. Disa ndërmarrje të tjera nuk kanë rezultuar po aq të suksesshme.
Mane bleu rrjetin televiziv të lajmeve financiare Scan TV në Tiranë në vitin 2022, por e shiti një vit më vonë me një humbje prej rreth 2.2 milionë dollarësh. Pasuria e tij ka sjellë gjithashtu më shumë vëmendje.
Në tetor, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) arrestoi ish-Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta me akuza për korrupsion.
Mane, i cili nuk është akuzuar për asnjë krim, raportohet se përmendet në dokumentet hetimore si personi që u ka ofruar Metës dhe bashkëshortes së tij të atëhershme, Monika Kryemadhi, deputete, një vilë në kompleksin “Rolling Hills”, me vlerë pak më pak se 1 milion dollarë (Meta ka ankimuar arrestimin dhe Kryemadhi ka mohuar akuzat).
Mane i mohon kategorikisht akuzat, duke i quajtur “të pabazuara dhe të hedhura poshtë nga autoritetet shqiptare” dhe thotë se nuk ka pasur asnjëherë një marrëdhënie të afërt personale me Metën.
“Nuk kam qenë asnjëherë në jetën time objekt hetimi, akuze apo ndjekjeje penale, as për këtë çështje, as për ndonjë tjetër,” shton ai.
Miliarderi i pasurive të paluajtshme në Dubai, Mohamed Alabbar, po zhvillon një resort luksoz dhe marinë për superjahta me vlerë 2.5 miliardë dollarë në veri, ndërsa dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, dhe firma e tij Affinity Partners po planifikojnë një zhvillim luksoz prej 1.5 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit në jug.
Për Manen, sa më shumë investime në Shqipëri, aq më mirë.
“Më pëlqejnë projektet, shpresoj që t’i realizojnë. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë,” shton ai.