Diana e gjeti dashurinë e jetës së saj, Robertin kur ishte vetëm 14 vjeçe e ai 16. Ata vendosën të ndërtonin jetën bashkë, por në moshë fare të re, Diana mori një nga goditjet e para të jetës, humbjen e fëmijës ende në bark. Ajo tregon në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se edhe dy shtatzënitë që pasuan prej të cilave ka dy djem, ishin mjaft të vështira.
Pas rënies së regjimit të diktaturës, motra i ofroi të shkonte në Itali ku ajo e Roberti jetojnë edhe sot. Çifti ka qenë i lumtur së bashku, por Diana është gjetur disa herë në beteja të forta shëndetësore në të cilat Roberti s’e ka lënë kurrë vetëm.
Ardit Gjebrea: Po bashkëshorti, Roberti?
Diana: Vete e vjen, Roberti më shumë rri këtu sesa atje. Por gjëja më e tmerrshme është se në 2013-ën m’u shfaq prapë tumori, akoma më keq se më përpara dhe tumor agresiv që doktorët nuk më dhanë shpresë.
Ardit Gjebrea: Kush të shërbente, kush të qëndronte pranë?
Diana: Në atë moment, Roberti rrinte pranë, madje ai flinte me legen, më falni për këtë shprehje, me legen te koka, unë flija në krevat, ai rrinte poshtë me legen. Bëra një kimioterapi që edhe një armiku nuk ia uroj këtë gjë. U futa në dhe dhe dola nga dheu! Aq e vështirë ishte sa u thosha fëmijëve nuk dua ta bëj më, dua të vdes! Çunat më thoshin “Çfarë? Ne të marrim me gjithë krevat e të çojmë në spital, ti do të jetosh për ne!”
Edhe pse jetojnë në Itali, Roberti është shumë i lidhur me Shqipërinë e vjen shumë shpesh. Së fundmi, ai shpreson që të mund të përkushtohet në forcën politike në të cilën beson dhe të kthehet në Shqipëri. Diana s’është dakord e ka ardhur t’i bëjë një kërkesë, sidomos pas një episodi shumë të vështirë që i ndodhi një javë më parë.
Diana: Jo, jo nuk janë të gjithë burrat që e kanë për detyrë këtë, por ti e di se çfarë më ndodhi mua para një jave. Nuk ta thashë Ardit, e lashë për ta thënë tani në fund. Para një jave, mua më ndodhi një gjë shumë e çuditshme. Vajta te doktoresha ime e familjes për të shkruajtur ilaçet. Atje, ajo më pa që nuk isha mirë. Më mati tensionin dhe tensionin e kisha të lartë. Më dha një gjë për t’u qetësuar. Pastaj unë ngadalë-ngadalë ika që aty, nuk po më kujtohej asgjë. Në atë çast m’u kujtua vetëm mami im. Fillova të merrja mamin tim në telefon, atë e tremba, fillova të qaja e të bëja. Ajo më tha “mos u shqetëso sepse do të të vijë kujtesa”. Sot nuk jemi asgjë në këtë botë prandaj unë të them jemi sot, s’jemi nesër. Unë dua që ti këto vitet që kanë ngelur, nuk e di, mund të vdes edhe nesër, mund të vdes edhe 100 vjeçe, dua që ti të më premtosh të mos më lësh më vetëm, të jesh gjithmonë me mua. Edhe mua nuk më pëlqen të rri në Itali, por ne do të rrimë se unë jam e sëmurë, kam vizitat, kemi familjen, kemi djalin kështu që ne duhet të rrimë. Unë për këtë të kam sjellë këtu që ti të më japësh fjalën që nuk do të më lësh më vetëm se më ndodhi njëherë, mund të më ndodhë herë të tjera.


