Enkrist Kola, 22 vjeç, është zhdukur që prej datës 13 shtator në Fushë-Arrëz, dhe as familja e tij, as policia nuk kanë arritur të gjejnë gjurmë të tij. Kamerat e sigurisë në zonë kanë regjistruar lëvizjet e të riut para se ai të zhdukej.
Vëllai i tij, Denis Kola, rrëfen takimin e fundit me babain: “Ora ka qenë rreth 7:30-08:00, ai i tha babait se do të dilte sepse do të vinte një burrë ta merrte. Kur babai pyeti se kush ishte, ai tha që nuk e njihte. Ka qenë me probleme mendore dhe nuk i mori për bazë.”

Enkrist ka marrë me vete celularin e babait, por nuk iu përgjigj thirrjeve. Pas 48 orësh, babai bëri denoncim në polici. Vëllai thotë se qelizat telefonike nuk kanë dhënë informacione, pasi telefoni i të zhdukurit ishte i fikur.
Familjarët ndodhen në ankth të madh dhe apelojnë që institucionet të intensifikojnë kërkimet për rikthimin e tij të sigurt në shtëpi.



