Momente frike dhe paniku janë regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Kukësit, kur një 49-vjeçar ka hyrë në ambientet e një dyqani të kompanisë celulare dhe ka derdhur benzinë, duke kërcënuar punonjësit dhe klientët.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:33 në lagjen nr. 2, ku shtetasi K. Sh., banues në Kukës, ka spërkatur benzinë në brendësi të dyqanit, duke i bërë thirrje të pranishmëve të largohen menjëherë. Veprimi i tij ka shkaktuar momente paniku, ndërsa qytetarët kanë njoftuar menjëherë Policinë.
Forcat e rendit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe kanë arritur të neutralizojnë autorin përpara se situata të përshkallëzohej më tej. Ai është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kukës për veprime të mëtejshme procedurale.
Sipas njoftimit zyrtar, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur motivet që e shtynë 49-vjeçarin të ndërmerrte këtë veprim ekstrem.


