“Dexit” nënkupton se ne do të ishim 5,5% më të varfër në 5 vitet e ardhshme” – tha Bardt për DW. Sipas tij, “kjo do të ishte një krizë e rëndë ekonomike, e paralajmëruar shumë kohë më parë”. “Sigurisht që do të ishte veçanërisht e dëmshme për kompanitë që varen nga tregjet dhe furnizuesit e shteteve të tjera të BE-së” – shtoi ai.
Zëdhënësi Gläser beson se një zgjidhje e ngjashme do të mund ta ruante tregtinë e lirë. “Përse mendoni se kompanitë dhe konsumatorët në Itali, Francë, Suedi apo kudoqoftë, s’do t’i donin më produktet gjermane nëse vendi s’është më pjesë e BE-së? – thotë ai. “As Zvicra nuk është në BE, por eksporton në të gjitha shtetet”.
“E konsideroj këtë ide jorealiste, të pakuptimtë dhe tymnajë të kotë” – thotë Berdt. “Shkatërrimi i BE-sënuk do të sillte një model të ri më të mirë se aktuali”.
“Rrënjët” anti-BE
Por ideja për “Dexit” nuk është e mirëpritur mes popullatës gjermane. Një anketim i publikuar këtë vit, nga Fondacioni “Konrad Adenauer” (KAS), i cili është afër partisë konservatore Unioni Kristian-Demokrat (CDU) arriti në përfundimin se 87% e gjermanëve do të votonin pro BE-së nëse do të duhej të votonin në referendum.
Por përse AfD vendosi që ta përfshinte një masë të tillë drastike dhe jopopullore në manifestin e saj elektoral? Gläser këmbëngul se dalja nga BE-ja do të ishte e duhura për gjermanët, u pëlqen ose jo atyre. “Ne nuk i hartojmë politikat në bazë të anketimeve. Ne duam të vëmë në zbatim idetë që i mendojmë të nevojshme dhe të rëndësishme”.
Wolfgang Schroeder, ekspert i shkencave politike në universitetin e Kassel, theksoi se qëndrimi i AfD-së është në përputhje me parimet mbi të cilat u krijua: në vitin 2013 ata u krijuan si parti ekonomistësh, kritikë pas krizës së Euros. Më pas nisën të vinin theksin tek politikat anti-migracion, por euro-skepticizmi i tyre ishte ende aty, edhe pse jo aq i dukshëm sa në fillimet e tij.
“AfD, parti nacionaliste”
“Në thelb, AfD është parti nacionaliste” – tha Schroeder për DW. “Ajo është kundërshtare e globalizmit, i cili ka sjellë gjithnjë me vete një sjellje skeptike ndaj autoriteteve ndërkombëtare. Për ta, të gjitha organizatat ndërkombëtare si BE apo OKB kanë qëllimet dhe vlerat e tyre, dhe për këtë arsye janë rrezik për vullnetin e vërtetë të njerëzve”.
Por a është AfD serioze në propozimin e saj për ta zëvendësuar BE-në me një tjetër lloj komuniteti ndërkombëtar, edhe pse kjo do shkaktonte “dhimbje koke” për ekonominë dhe kushtetutën? “Mund t’i përgjigjemi kësaj pyetje në dy mënyra” – thotë Schroeder. “Nga njëra anë, themi që ata nuk e kanë seriozisht për aq kohë sa përfaqësojnë pakicën dhe mund të thonë ç’të duan për të treguar panoramën e një bote ndryshe.
Personalisht, Schroeder mendon se pozicioni i AfD është një “bast që kushton shumë pak, por në plan afatgjatë”. “Ata po vënë bast se shumë shtete do të bien dakord me Euro-skepticizmin e tyre dhe në të ardhmen do të jetë që zhvillim i ri që shkon në drejtimin e Eurazisë, me perspektiva të reja ekonomike dhe politike”./DW


