Marina Franceze, me mbështetjen e anijeve aleate, ka sekuestruar në Detin Mesdhe një anije cisternë që i përkiste të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, pavarësisht se ajo ndodhej nën sanksione ndërkombëtare.
Lajmi u konfirmua nga vetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili theksoi se autoritetet franceze nuk do të tolerojnë asnjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare apo të regjimit të sanksioneve.
Në një postim në rrjetin social X, Macron deklaroi se operacioni u zhvillua në përputhje të plotë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit dhe me mbështetjen e aleatëve të Francës.
“Ne nuk do të tolerojmë asnjë shkelje. Këtë mëngjes, Marina Franceze hipi në një cisternë që vinte nga Rusia, ishte nën sanksione ndërkombëtare dhe dyshohet se po lundronte nën një flamur të rremë. Operacioni u krye në det të hapur, në Mesdhe, me mbështetjen e disa prej aleatëve tanë”, shkroi Macron.

Sipas presidentit francez, ndaj incidentit është hapur një hetim gjyqësor dhe anija ka devijuar nga kursi i saj pas ndërhyrjes. Ai shtoi se Franca mbetet e vendosur të mbrojë të drejtën ndërkombëtare dhe të garantojë zbatimin efektiv të sanksioneve.
Macron nënvizoi gjithashtu se aktivitetet e “flotës në hije” të Rusisë kontribuojnë drejtpërdrejt në financimin e luftës së agresionit kundër Ukrainës, duke e cilësuar ndërhyrjen si një mesazh të qartë për mungesë tolerance ndaj këtyre praktikave.


