Detaje të reja kanë dale në pah nga vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka të ndodhur ditën e sotme në Shkodër.
Fillimisht u raportua se viktima u vra me thikë, por burime nga policia konfirmuan se ai u ekzekutua me armë zjarri.
Hetimet e bëra nxorrën në pah se i riu është qëlluar me një plumb në gjoks nga një pistoletë.
Më tej thuhet se në vendngjarje u gjet dhe u sekuestrua një gëzhojë, e cila do të shërbejë për analizat balistike dhe identifikimin e armës së krimit.
Kujtojmë se trupi i pajetë i Prekës u gjet nga familjarët në oborrin e shtëpisë, ndërsa autori i krimit mbetet ende i paidentifikuar. Grupet hetimore, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, po vijojnë punën për zbardhjen e motiveve dhe identifikimin e autorit të vrasjes.
Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po analizon kamerat e sigurisë për të hedhur dritë mbi lëvizjet e dyshimta në momentin e ngjarjes.


