Detaje të tjera kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Sarandë, ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Sipas informacioneve paraprake, personat e përfshirë në konflikt lëviznin me dy automjete tip “Audi”, por pas ngjarjes dyshohet se janë larguar vetëm me njërin prej tyre, ndërsa automjeti tjetër është lënë pranë biznesit të viktimës.
Burime hetimore bëjnë me dije se konflikti ka nisur pas një përballjeje për një mosmarrëveshje të mëparshme. Fillimisht ka pasur debat verbal dhe më pas përplasje fizike mes palëve.
Sipas hetimeve paraprake, 66-vjeçari dyshohet se ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të grupit me të cilin ishte konfliktuar. Nga pala tjetër ka pasur kundërpërgjigje me armë zjarri, ku Ismaili është qëlluar fatalisht dhe ka humbur jetën në vendngjarje.
Policia po heton gjithashtu raportimet se një person tjetër mund të ketë mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit, megjithatë deri tani nuk rezulton që ndonjë i plagosur të jetë paraqitur për ndihmë mjekësore në spital.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.


