Një nga risitë më të diskutueshme të draftit të ri të Kodit Penal është përfshirja e një kapitulli të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve, i cili parashikon masa të ashpra ndëshkimore për braktisjen dhe keqtrajtimin e kafshëve. Kjo ka shkaktuar reagime të ndryshme nga publiku dhe shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, por gjithashtu ka hapur një debat të gjerë mbi rëndësinë e këtij ndryshimi ligjor.
Braktisja e kafshëve – Dënim deri në 3 vite burg
Një nga nenet kryesore të këtij drafti është Neni 944, i cili e konsideron braktisjen e një kafshe, nga kushdo që ka përgjegjësi mbi të, si vepër penale, kur akti i braktisjes ndodh në kushte që rrezikojnë jetën apo shëndetin e kafshës. Në këto raste, drafti parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në 3 vjet, një masë që ka krijuar reagime të ndryshme, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e kafshëve, por gjithashtu ka ngjallur shqetësime për mundësinë e abuzimeve të mundshme me këtë nen.
Një tjetër dispozitë që ka shkaktuar polemika është Neni 943, i cili parashikon dënime deri në 3 vjet burg për ata që shkaktojnë dëmtime të përhershme apo të përkohshme te kafshët shtëpiake, përfshirë edhe aktet me natyrë seksuale. Nëse nga keqtrajtimi vdes kafsha, dënimi do të rritet deri në 50%. Po ashtu, në rast se keqtrajtimi shkakton dëmtime pa lënë pasoja të dukshme, mund të vendoset dënimi me gjobë ose një dënim plotësues, i cili do të përcaktohet nga gjykata në bazë të rrethanave të rastit.
Kontrolli i kafshëve në hapësira publike – Dënim për pronarët që nuk i kontrollojnë
Një tjetër pjesë e draftit është Neni 945, i cili parashikon dënime për ata që nuk kontrollojnë kafshët e tyre në hapësira publike. Në rast se një qenie shkakton dëmtim të lehtë ndaj një personi për shkak të mungesës së kontrollit, pronari mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Në rastet kur dëmtimi është më i rëndë ose fatale, dënimi do të ashpërsohet, duke çuar deri në burgim të gjatë për pronarët që nuk i mbajnë kafshët nën kontroll.
Ky draft i ri ligjor është një përpjekje për të forcuar mbrojtjen e kafshëve dhe për të shtuar përgjegjësinë e pronarëve për trajtimin dhe kontrollin e kafshëve, duke sjellë masa ndëshkimore që kërkojnë respektimin e normave për mbrojtjen e kafshëve dhe sigurimin e rendit publik. Megjithatë, disa janë të shqetësuar se këto dispozita mund të çojnë në abuzime të mundshme nga autoritetet, si dhe mund të sjellin ngarkesa të panevojshme për qytetarët.
Radar.al


