Në më pak se tre vite, Elbasani u kthye në arenë të një lufte të përgjakshme mes bandave mafioze, që la pas 16 viktima – nëntë nga një krah dhe shtatë nga tjetri. Lufta nisi me atentatin e trefishtë në dhjetor 2018, i njohur si masakra e Bradasheshit, ku u ekzekutuan Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay, ortak i familjes Alibej në trafikun e kokainës.
Erjon Alibej, sot i penduar dhe bashkëpunëtor i drejtësisë, ka treguar për tradhtinë që sipas tij shënoi nisjen e kësaj lufte. Ai deklaron se vëllezërit Çopja, dikur miq të afërt të familjes së tij, ishin urdhëruesit dhe financuesit e atentatit, ndërsa organizator ishte Mikael Qosja.
Në atë kohë, Erjoni ishte në kërkim për plagosje dhe nuk mbante telefon. Në natën e ndërrimit të viteve, ndërsa shpërndante gjela deti si dhurata për miqtë dhe të afërmit, mori lajmin tronditës: vëllai i tij ishte qëlluar. Telefonata i erdhi nga bashkëshortja, përmes dhëndrit të familjes, Besmir Lala.
Pikërisht në ato momente, përballë i del një BMW X6 e bardhë. Në timon ishte Mikael Qosja – njeriu që, sipas tij, kishte organizuar vrasjen e vëllait. Pa e ditur këtë fakt, Alibej i kërkoi ndihmë, madje e pyeti nëse kishte “hekur” (armë). Qosja ia mohoi. “Pa folur më shumë, u nisa me shpejtësi drejt vendit ku kishte ndodhur ngjarja,” – ka dëshmuar ai.
Erjon Alibej mbërriti në Bradashesh përpara policisë dhe ambulancës, megjithëse atentati kishte ndodhur disa minuta më parë. Ai aludon se atentatorët mund të kenë pasur ndihmën e strukturave shtetërore.
Sipas rrëfimeve të tij, në këtë luftë mafioze u përfshinë emra të njohur si Talo Çela, Altin Ndoci, Miri Kolës dhe Dorjan Shkoza, të cilët njiheshin si “çunat” e rekrutuar nga krahu kundërshtar.
Përplasja mes bandave të Elbasanit nxori në sipërfaqe intriga, tradhti dhe lidhje të errëta mes botës së krimit dhe politikës, duke kthyer qytetin në një nga pikat më të nxehta të kriminalitetit në vend./TCH/

