Bashkëshortja e Petrit , 57-vjeçarit që u vra me çekiç nga Andi Vokri, ka reaguar për herë të parë duke treguar rrethanat e ngjarjes tragjike. Në një mesazh drejtuar gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Gjystina Ndou shprehet se bashkëshorti i saj humbi jetën teksa po përpiqej të shpëtonte tre persona të moshuar që ndodheshin në rrezik.
Sipas saj, ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, teksa çifti po kthehej nga një festë familjare në Bushnes. Gjatë rrugës, ata konstatuan dy automjete të bllokuara nga mjeti i autorit të dyshuar, i cili po ushtronte dhunë dhe po pengonte lëvizjen e tyre. Petrit Ndou zbriti nga makina për të ndërhyrë dhe për t’i ndihmuar, pasi i njihte personat dhe kishte qenë me ta më herët gjatë mbrëmjes.
Në dëshminë e saj, Gjystina Ndou tregon se autori po dhunonte një pasagjere të moshuar dhe se Petriti u përpoq të ndalte sherrin, duke orientuar automjetet që të largoheshin nga vendngjarja dhe të viheshin në një zonë të sigurt. Pas kësaj, situata u përshkallëzua, pasi disa persona të tjerë dolën nga automjeti i autorit për t’u përballur me Petrit Ndoun.
Sipas bashkëshortes së viktimës, pas një momenti fshehjeje dhe pasi kishin njoftuar policinë dhe familjarët, Petrit Ndou u kthye për të parë automjetin e tij, duke menduar se agresorët ishin larguar. Pak më vonë, ai u godit në pabesi me çekiç në kokë, duke humbur jetën në vend.
Trupi i pajetë i 57-vjeçarit u gjet nga familjarët, ndërsa policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe arrestoi në flagrancë Andi Vokrin. Ngjarja po hetohet nga autoritetet si vrasje e rëndë në rrethana tronditëse.


