Deputeti socialist Erjon Braçe ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e reflektimit të forcimit të lekut në uljen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve. Sipas tij, edhe pse leku ka arritur në maksimumin historik, çmimet nuk kanë ndryshuar në përputhje me këtë zhvillim.
“DITA MË E MIRË PËR LEKUN SOT; FORCUAR NË MAKSIMUMIN E TIJ HISTORIK! Është monedha jonë kombëtare dhe deri këtu jemi në rregull. POR ÇMIMET – pas kësaj, JANË ÇËSHTJA!” – ka shkruar Braçe në një postim të tij.
Ai thekson se, pavarësisht se leku e ka çuar euron dhe dollarin në minimumet historike, çmimet e naftës, benzinës dhe gazit nuk kanë reflektuar këtë ndryshim. “Kur leku e çoi euron në minimumin historik 1€=99.7 lekë dhe dollarin në minimumin historik 1$=90 lekë, përse nuk ndryshon çmimi i naftës, benzinës, gazit tani? Përse?” – ka pyetur deputeti socialist.
Braçe ka shprehur shqetësimin e tij se, ndërsa çmimi i naftës në bursë ka rënë, tregtarët vazhdojnë të justifikojnë çmimet e larta duke injoruar kursin e këmbimit. Ai vë në dukje se çmimet e naftës dhe ushqimeve të tjera të importuara nuk kanë rënë, pavarësisht forcimit të lekut.
“Unë dua çmime të drejta që reflektojnë çdo element të çmimit, përfshirë kursin e këmbimit!” – ka theksuar Braçe, duke nënvizuar se përfitimi nga forcimi i lekut duhet të shkojë për qytetarët, jo për tregtarët.


