TIRANË– Ministria e Financave ka çelur procedurën për pagesën e këstit të pestë të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, duke përfshirë këtë herë edhe trashëgimtarët jo parësorë.
Urdhri i Ministrit të Financave, i datës 20 gusht 2025, përcakton hapjen e këtij kësti, i cili mbulon qindra familje në të gjithë vendin. Përfituesit janë të listuar në tabelën e mëposhtme dhe duhet të bëjnë gati dosjen me dokumentet për të tërhequr këstet takuese. Nëse nuk e bëjnë këtë herë, kanë të drejtë ta tërheqin në këstin e radhës, por gjithnjë jo më vonë se tre vjet. “Kur një trashëgimtar i radhës së dytë nuk jeton, e drejta e tyre për dëmshpërblim në bazë të ligjit, nuk vazhdon më tej dhe kjo pjesë takuese kalon në buxhetin e shtetit. Në këtë rast rrethi i familjarëve, duhet të dërgojë në Ministrinë përgjegjëse për financat certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit të radhës së dytë që nuk jeton. Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare”, – nënvizohet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
FONDI
Gjatë katër kësteve të mëparshme janë shpërndarë rreth 4 miliardë lekë. Ky fond i konsiderueshëm është ndarë ndër më shumë se 9 mijë familje, duke shënuar një hap të prekshëm në përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj ish të përndjekurve politikë. Vlera e shpërndarë deri më tani nuk është thjesht një shumë monetare, por një tregues i vendosmërisë institucionale për të dhënë drejtësi financiare pas dekadash vonesash. Ndërsa për këstin e pestë, buxheti i parashikuar arrin në rreth 1 miliard lekë. Ky fond i veçantë do të kalojë në llogaritë bankare të trashëgimtarëve menjëherë pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë. Përfshirja e trashëgimtarëve jo parësorë në këtë fazë ka rëndësi të veçantë, pasi hap rrugën për një qasje më gjithëpërfshirëse, ku çdo familje e prekur nga diktatura të marrë pjesën që i takon.
Ministria ka sqaruar edhe mënyrën se si trashëgimtarët duhet të orientohen në procesin e verifikimit të dokumenteve. Në listën e publikuar në faqen e saj zyrtare, shenja “X” me ngjyrë të kuqe tregon se dokumentacioni mungon dhe duhet të dorëzohet, ndërsa me shkronjën “V” shënohen dosjet që janë të plota dhe nuk kërkojnë plotësime. Në të njëjtën mënyrë, “P” tregon se prokura është e rregullt, kurse shenja “XP” në të kuqe nënkupton se prokura e depozituar nuk është e vlefshme pasi nuk është origjinale, e noterizuar ose nuk përmbush kushtet ligjore për autorizimin e tërheqjes së dëmshpërblimit. Në udhëzimin zyrtar theksohet gjithashtu se trashëgimtarët duhet të sigurohen që numri personal i llogarisë bankare të jetë aktiv, përndryshe duhet hapur një llogari e re dhe t’i përcillet Ministrisë së Financave me të dhënat përkatëse.
Në rastet kur ka ndryshime në gjeneralitetet e trashëgimtarëve, si emër apo mbiemër, është e detyrueshme që dosja të shoqërohet me certifikatën e re të lëshuar nga Gjendja Civile. Ky hap vjen si vijim i një procesi afatgjatë, i cili ka në qendër dëmshpërblimin e mijëra familjeve shqiptare që vuajtën pasojat e regjimit komunist. Me këstin e pestë, lista e përfituesve zgjerohet më tej, duke garantuar që çdo trashëgimtar i ligjshëm të mund të marrë pjesën që i takon, ndërsa afatet mbeten të hapura për tre vjet pas publikimit të emrit, për ata që nuk dorëzojnë menjëherë dokumentacionin e plotë.


