Reshjet e dendura të pesë ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme të shumta në disa qarqe të vendit, duke lënë pas përmbytje masive, dëme në bujqësi dhe ngordhje të kafshëve.
Në total, rreth 200 familje u evakuuan nga banesat, ndërsa 150 prej tyre janë rikthyer tashmë në shtëpi. Familjet e tjera vijojnë të qëndrojnë të strehuara në konvikte apo çadra emergjence.
Situata më e rënduar paraqitet në Bashkinë Dimal, ku dalja e lumit Seman nga shtrati ka përmbytur 110 hektarë sera me prodhime të stinës. Në total, vlerësohet se rreth 500 hektarë tokë në këtë zonë ndodhen nën ujë. Fshati më i prekur është Goriçani, ku banorët mbështeten kryesisht te bujqësia në sera, dhe humbjet e këtij viti pritet të jenë të rënda pasi reshjet kanë dëmtuar tërësisht prodhimin.
Probleme të ngjashme raportohen edhe në fshatrat Çiflig dhe Arrëz.
Në Sarandë, rreth 500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur, ndërsa dëmet në blegtori janë të mëdha: deri më tani janë raportuar 700 krerë bagëti të mbytura në stalla. Megjithë përpjekjet e banorëve për të shpëtuar kafshët, shumë prej tyre nuk ia dolën, pasi niveli i ujit u rrit me shpejtësi.
Përmbytjet kanë sjellë dëme edhe për shkak të çarjes së argjinaturës Çukë–Bërdënesh, duke përmbytur 15 magazina me baza ushqimore.
Ndërkohë në Qarkun e Vlorës, situata është përmirësuar. 22 familjet e komunitetit rom që u evakuuan janë stabilizuar në çadra, ndërsa uji është tërhequr nga banesat dhe tokat bujqësore. Në lumin Vjosë, niveli i ujit ka rënë në 4 metra, duke bërë që prurjet të rikthehen brenda shtratit.
Edhe infrastruktura rrugore ka pësuar dëmtime. Në aksin e ri Qukës–Qafë Plloçë, një rrëshqitje masive dheu pranë tuneleve ka bllokuar qarkullimin, duke detyruar kompaninë kontraktore të hapë një bypass provizor.
Në Maliq të Korçës, përmirësimi i motit ka zbuluar dëme të mëdha: 150 familje janë prekur nga përmbytjet e banesave dhe tokave, ndërsa rreth 300 hektarë drithëra në Korçë rezultojnë nën ujë. Në Pogradec, përmbytjet kanë goditur rreth 25 hektarë me rrush dhe drithëra.
Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe me furnizimin me energji elektrike në disa zona të thella në jug të vendit, ku ndërprerjet janë të shpeshta.


