Këngëtarja dhe deputetja e re e Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, ka dorëzuar deklarimin e pasurisë më 19 prill 2025, duke ofruar një pasqyrë të detajuar të gjendjes së saj financiare dhe pronësore në nisje të mandatit të parë politik.
Sipas deklaratës së dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Llalloshi rezulton të ketë pasuri në vlerë mbi 400 mijë euro, përfshirë dy vetura luksoze Mercedes-Benz të blera përmes leasingut, një banesë me sipërfaqe 139.48 m² (me vlerë 95,000 €) dhe një kat shtëpie prej 168 m² të blerë për 218,400 euro.
Deputetja ka dy kredi aktive në Raiffeisen Bank me detyrime të mbetura prej rreth 49 mijë euro, të marra për nevoja familjare. Ajo ka deklaruar edhe 13 mijë euro para të gatshme, ku përfshihen edhe kursimet në emër të fëmijëve të saj.
Në aspektin e veprimtarisë private, Llalloshi është pronare e vetme e “Edona Band SH.P.K.”, kompani e regjistruar në fund të vitit 2024 me kapital fillestar 1,000 euro.
E njohur për karrierën e saj muzikore, Llalloshi nuk ka përfituar ende paga si deputete, pasi institucionet nuk janë funksionalizuar plotësisht gjatë fazës së parë të mandatit të ri parlamentar.
Ky deklarim konsiderohet një prej më transparentëve nga figura të njohura publike në politikën kosovare, duke hedhur dritë mbi pasuritë dhe angazhimin e tyre financiar në përputhje me detyrimet ligjore.


