Policia e Vlorës ka ndaluar përkohësisht qarkullimin e automjeteve drejt zonës së Llogarasë, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës dhe ngricave që kanë krijuar kushte të rrezikshme në rrugë.
Sipas njoftimit zyrtar, dëbora dhe temperaturat e ulëta kanë rënduar ndjeshëm situatën e qarkullimit rrugor, duke detyruar autoritetet të marrin masën e ndalimit të lëvizjes për garantimin e sigurisë së drejtuesve të mjeteve.
Shërbimet rrugore ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e aksit, ndërsa qarkullimi do të rifillojë vetëm pasi kushtet të normalizohen. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këtë zonë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.


