Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj deklaratave të sekretares së Brendshme britanike lidhur me dëbimin e 700 familjeve shqiptare nga Mbretëria e Bashkuar, duke i cilësuar ato si një “pëshpërimë statistikore” të shndërruar në një “sirenë politike”.
Gjatë ceremonisë së hapjes së Vitit Akademik 2025–2026 të Kolegjit të Europës në Tiranë, Rama theksoi se Evropa është “një zgjedhje dhe jo një gjeografi”, duke nënvizuar se bashkëpunimi europian është më i rëndësishëm se narrativat politike të momentit.
Ai u ndal veçanërisht te deklaratat e qeverisë britanike, duke argumentuar se në një vend me 67 milionë banorë, 700 familje shqiptare nuk mund të paraqiten si problem kombëtar. Sipas tij, kjo qasje synon të fitojë pikë politike përmes frikës dhe stereotipeve.
Rama theksoi se mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Britaninë e Madhe “janë zhdukur pothuajse plotësisht”, ndërsa shqiptarët në MB janë “kontribuues neto”. Ai kritikoi narrativat që “fryjnë shifra të vogla në zhurmë politike”, duke paralajmëruar se Europa dobësohet sa herë që faktet i nënshtrohen stereotipeve.
Kryeministri shtoi se përvoja historike e Shqipërisë si vendi i fundit diktatorial në Europë e bën vendin të ndjeshëm ndaj çdo shenje izolimi apo polarizimi në kontinent. Ai kujtoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm proces politik, por një mekanizëm që pengon padrejtësitë dhe ndal rritjen e ekstremizmave.
“Kur një ministre europiane vë në shënjestër një bashkësi të vogël njerëzish, nuk është thjesht një deklaratë politike, por një simptomë e një realiteti që duhet parandaluar,” tha Rama, duke apeluar që e ardhmja europiane të ndërtohet mbi fakte, bashkëpunim dhe të vërteta, jo mbi frikë dhe ndarje.


