Daniel Siad, agjent francez i modeleve, 69 vjeç, i përmendur në dokumentet që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein, është gjetur i pajetë në banesën e tij në Colombes, në periferi të Parisit.
Autoritetet franceze kanë hapur një hetim për të zbardhur rrethanat e vdekjes, ndërsa pritet që autopsia të përcaktojë shkakun zyrtar.
Emri i Siadit ishte përmendur në disa dokumente të lidhura me hetimet ndaj financierit amerikan Jeffrey Epstein. Një prej grave që akuzuan Epstein për abuzime seksuale kishte deklaruar se ishte Siad ai që e prezantoi me të, duke pretenduar se ai rekrutonte vajza të reja për t’ia prezantuar financierit.
Siad i kishte hedhur poshtë këto akuza, duke mohuar çdo përfshirje dhe duke deklaruar se nuk kishte dijeni për abuzimet e kryera nga Epstein.
Në Francë, ai ishte gjithashtu nën hetim pas disa kallëzimeve për përdhunim, akuza që i mohoi vazhdimisht dhe për të cilat nuk ishte shpallur fajtor.
Pas njoftimit për vdekjen e tij, avokatët që përfaqësojnë disa nga viktimat deklaruan se kjo u mohon atyre mundësinë për ta parë Siadin të merret në pyetje dhe për të marrë përgjigje në lidhje me pretendimet e ngritura ndaj tij.
Rasti rikthen në vëmendje edhe vdekjen e Jean-Luc Brunel, një tjetër agjent modelesh i lidhur me Jeffrey Epstein, i cili u gjet i vdekur në burgun e Parisit në vitin 2022. Vetë Epstein vdiq në një burg në New York në vitin 2019, në një rast që autoritetet amerikane e klasifikuan si vetëvrasje.


