Site icon Informohu siç duhet

“Çlirim i madh”, Rama publikon video nga aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe paralajmëron gjoba: Në fund të tëra do ikin

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një tjetër video në rrjetet sociale që dokumenton vijimin e aksionit për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet, duke e cilësuar këtë proces si një “çlirim të madh” për komunitetin dhe këmbësorët.

Sipas Ramës, përfitues nuk janë vetëm qytetarët që lëvizin lirshëm në rrugë, por edhe ata që shijojnë shërbimet në ambiente të jashtme të restoranteve e kafeneve, tashmë pa barriera fizike apo struktura të paligjshme.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave,” shkruan Rama në postimin e tij.

Kreu i qeverisë paralajmëroi gjithashtu të gjithë ata që refuzojnë të heqin vetë ndërhyrjet e paligjshme në hapësirat publike, se do të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë gjobë të kripur për ndërtuesit që nuk bashkëpunojnë.

“Ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin, po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar,” thekson Rama.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike është intensifikuar javët e fundit në Tiranë dhe qytete të tjera, në kuadër të një fushate për rikthimin e trotuareve dhe zonave publike në shërbim të qytetarëve.

Exit mobile version