Ngjarja tragjike që çoi në vdekjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo në fshatin Pirg të Maliqit ka nisur si pasojë e një konflikti për motive banale, sipas informacioneve të policisë.
Konflikti kishte filluar disa muaj më parë mes dy të miturve, për arsye të tipit “pse më shikon dhe më shan”.
Dje, të dy 14-vjeçarët janë takuar rastësisht në lokalin e fshatit, secili i shoqëruar nga shokët e tij, ku dhe situata eskaloi tragjikisht. Erald Xhejo u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë. Autori i dyshuar i sulmit, i cili ka marrë dëmtime të lehta, gjithashtu mori ndihmë mjekësore.
Sipas raportimeve të medias, autori ka qenë i njohur në rrjetet sociale për paraqitje të papërshtatshme, ku shfaqej me armë zjarri dhe mesazhe provokuese si: “Shfaqem kur s’ta pret mendja”.
Hetimet vijojnë nga policia dhe prokuroria për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë të përfshirëve në ngjarje.
Radar.al


