PARIS– Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë vendosur të ndjekin rrugën ligjore në Shtetet e Bashkuara, duke paraqitur prova fotografike dhe shkencore.
E gjitha kjo për të kundërshtuar publikisht një teori konspirative që është shpërndarë nga influencuesja konservatore amerikane Candace Owens.
Lajmin e konfirmoi avokati i çiftit, Tom Clare, gjatë një interviste në podcastin “Fama Under Fire” në BBC, ku theksoi se akuzat se Zonja e Parë ka lindur mashkull janë “shumë shqetësuese” dhe “me ndikim negativ emocional” tek çifti presidencial i Francës.
Brigitte dhe Emmanuel Macron kanë ngritur një padi për shpifje ndaj Candace Oëens, e cila ka përsëritur vazhdimisht në rrjetet sociale dhe në daljet e saj publike bindjen e saj personale se Brigitte Macron ka lindur mashkull.
Avokatët e Oëens kanë kërkuar që padia të rrëzohet, duke pretenduar se çështja nuk ka lidhje me shtetin e Delaëare, ku është depozituar padia, dhe se procedura do të sillte “vështirësi të konsiderueshme financiare” për klienten e tyre.
Macron: “Duhet të mbrojmë nderin tonë”. Në një intervistë për revistën “Paris Match”, Macron theksoi se ai dhe bashkëshortja e tij “nuk mund të qëndrojnë në heshtje përballë një shpifjeje që prek dinjitetin dhe të vërtetën”.
“Ajo është një grua që e dinte shumë mirë se po përhapte informacion të rremë dhe e bëri këtë me qëllim për të dëmtuar, duke i shërbyer një ideologjie”, u shpreh presidenti francez, duke nënvizuar se lidhjet e Oëens me figura të ekstremit të djathtë janë të njohura.
Brigitte e vendosur të dëshmojë
Avokati Clare theksoi se çifti Macron janë të përgatitur të paraqesin prova të detajuara, përfshirë, foto të Brigitte gjatë shtatzënisë, pamje të saj me fëmijët dhe dëshmi shkencore dhe ekspertize ligjore që rrëzojnë pretendimet.
“Është e dhimbshme të detyrohesh të mbrosh identitetin tënd në mënyrë kaq publike, por ajo është e gatshme ta bëjë këtë për të rivendosur të vërtetën.”-deklaroi Clare.
Kujtojmë se pretendimet për gjininë e Brigitte Macron nisën që në vitin 2021, pas një videoje të publikuar nga blogeret franceze Amandine Roy dhe Natasha Ray.
Çifti Macron fitoi fillimisht një padi për shpifje ndaj tyre në vitin 2024, por vendimi u rrëzua në apel në vitin 2025, jo për shkak të së vërtetës, por për arsye të lirisë së shprehjes./Radar.al


