Arresti kardiak është bërë së fundmi kryetemë për lajmet e shëndetit në vendin tonë, pasi vdekja e papritur në moshë të re e ish deputetit Gert Bogdani ka rritur ndërgjegjësimin për vdekjet e papritura.
Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare thekson se qytetarët duhet të bëjnë kontrolle të shpeshta te mjekët, pasi arresti kardiak ndodh edhe pse dukesh një njeri i shëndetshëm.
“Duhet që të bëjmë kontrolle të shpeshta te mjekët, sepse mund ta kemi të trashëguar.Kur ndodh një arrest kardiak, ndihma e parë është esenciale’.
Edhe shtypja e gjoksit mund ta mbajë zemrën në jetë thekson mjeku.
Sakaq në një status në rrjetet sociale, Brataj tregon çfarë duhet bërë për të dhënë ndihmën e parë.
Brataj: Çfarë është arresti kardiak dhe vdekja e papritur?
“Ndërprerje e menjëhershme dhe e papritur e aktivitetit kardiovaskular dhe respirator, e paraprirë ose jo nga shenja dhe simptoma, në një person me ose pa sëmundje kardiake të njohura më pare”.
Statistikat janë:
Një person në 1.000 banorë vdes në mënyrë të papritur në të gjithë botën, pavarësisht faktit nëse ka shfaqur sëmundje më parë apo jo. Pra në Tiranë vdesin në mënyrë të papritur rreth 1.000 veta në vit! Kjo nuk do të thotë që nuk kanë qenë të sëmurë më parë, sepse sëmundjet e trashëguara, sëmundjet valvolare, aritmitë dhe ateroskleroza kanë bërë punën e vet në vite.
Çfarë mund të bëjmë ne për të dhënë ndihmën e parë?
Së pari: Cilat janë shenjat dhe simptomat e para që mund të çojnë në arrest kardiak?
Dhimbje në qendër të gjoksit e shpërndarë në drejtim të mandibulës, qafës, shpatullave ose e ngjashme me dhimbjen e stomakut, vështirësi në frymëmarrje, dobësi të përgjithshme, nauze, të vjella dhe djersitje gjatë sforcimit fizik ose në qetësi.
Së dyti: Nëse ndodh arresti kardiak, si mund të japim ndihmën e parë, të japim goditjen elektrike (defibrilimin) dhe të parandalojmë dëmtimin anoksik cerebral (shtypje gjoksi-ventilim)?
Për këtë, gjëja e parë që duhet të bëjmë është njoftimi i numrit 127, nga i cili merni menjëherë mënyrën e veprimit për të bërë masazhin kardiak dhe defibrilimin kur është në dispozicion dhe është i këshilluar përdorimi i tij.
Është e vërtetë që defibrilatori shpëton jetë në një përqindje të lartë të rasteve.


