Argjinatura e Lagunës së Kune-Vainit është dëmtuar sërish, vetëm një javë pasi autoritetet njoftuan mbylljen e çarjes së parë. Çarja e re është shfaqur disa metra larg dëmtimit të mëparshëm, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje në zonë.
Vetëm disa ditë më parë, reshjet e dendura shkaktuan një çarje të madhe në argjinaturë, që solli përmbytjen e disa banesave dhe rrethimin me ujë të të tjerave. Nën ujë u gjend edhe një sipërfaqe e konsiderueshme tokash bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha për banorët e zonës.
Ndërkohë, autoritetet vendore dhe ekipet e emergjencave janë rikthyer në terren dhe kanë nisur ndërhyrjen për riparimin e menjëhershëm të argjinaturës, me synimin për të shmangur përshkallëzimin e situatës.


