Deputeti socialist Erion Braçe ngriti sot në Kuvend shqetësime serioze për mënyrën se si po funksionon administrata tatimore dhe doganore, duke denoncuar raste të cilat, sipas tij, tregojnë arbitraritet, mungesë transparence dhe standarde të dyfishta në trajtimin e bizneseve.
Braçe solli si shembull një rast konkret ku një biznes i vogël në periferi të Tiranës u gjobit me 8.2 milionë lekë të vjetra vetëm për 15 kilogramë gjizë të gjetura pa faturë tatimore. Ai lexoi dokumentin e gjobës në sallën e Kuvendit dhe e quajti këtë veprim “absurd dhe të padrejtë”, ndërsa akuzoi inspektorët tatimorë se gjatë kontrolleve “fikin kamerat dhe GPS-in” për të mos lënë gjurmë të mënyrës si veprojnë në terren.
Sipas tij, kjo qasje e organeve fiskale përbën një goditje të padrejtë ndaj bizneseve të vogla, ndërsa në dy prej drejtorive më të rëndësishme të Tatimeve — asaj të Tiranës dhe drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP) — kontrollet mungojnë pothuajse tërësisht. Ai u shpreh se inspektorët “sillen egër me të dobëtin, por zhduken përballë të fortëve”.
Braçe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria për të ndaluar kjo sjellje, si dhe i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) të auditojë në mënyrë të thelluar të dy drejtoritë më problematike. Ai shtoi se raportet e KLSH kanë evidentuar edhe probleme të tjera, si rritjen më të shpejtë të borxhit tatimor krahasuar me arkëtimet, si edhe praktika klienteliste në dogana që cënojnë konkurrencën e tregut.
Në mbyllje, ai theksoi se shembuj si gjoba për 15 kilogramë gjizë tregojnë për një sistem që funksionon me dy standarde, ku bizneset e vogla goditen rëndë ndërsa të mëdhenjtë mbeten jashtë kontrollit.


