Ministria e Financave ka hartuar projektligjin “Për sigurimin e një niveli minimal global të tatimit për grupet e shoqërive shumëkombëshe dhe grupet e mëdha vendase”, i cili përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën e Bashkimit Evropian të vitit 2022 dhe me standardet e OECD/G20. Në qendër të projektligjit është vendosja e një norme minimale efektive tatimi prej 15% për grupet shumëkombëshe dhe grupet e mëdha vendase që kanë të ardhura të konsoliduara vjetore prej të paktën 750 milionë eurosh.
Qëllimi është që fitimet e këtyre grupeve të mos zhvendosen artificialisht drejt vendeve me taksa të ulëta ose pa tatim, por të tatohen në mënyrë më të drejtë në juridiksionet ku realizohet aktiviteti ekonomik. Projektligji parashikon tre mekanizma kryesorë, Rregullin e Përfshirjes së të Ardhurave, Rregullin për Fitimet e Nëntatuara dhe Tatimin Shtesë Minimal të Brendshëm të Kualifikuar. Ky i fundit i jep Shqipërisë të drejtën që të mbledhë vetë tatimin shtesë mbi fitimet e realizuara nga entitetet që operojnë në territorin shqiptar, përpara se kjo e drejtë t’u kalojë shteteve të tjera.
Sipas relacionit, nisma synon të mbrojë bazën tatimore shqiptare, të forcojë transparencën fiskale dhe të krijojë kushte më të barabarta konkurrence mes grupeve të mëdha ndërkombëtare dhe bizneseve të tjera që operojnë në vend. Subjektet që do të përfshihen në këtë regjim do të kenë detyrime më të detajuara raportimi dhe deklarimi, ndërsa administrata tatimore do të ketë rol kryesor në zbatimin e ligjit dhe në shkëmbimin e informacionit me administratat e tjera tatimore.
Nga pikëpamja buxhetore, projektligji pritet të ketë ndikim pozitiv në të ardhurat tatimore, pasi i krijon mundësi Shqipërisë të mbledhë tatim shtesë kur fitimet e grupeve të mëdha tatohen nën nivelin minimal prej 15%. Projektligji lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian, veçanërisht me Kapitullin 16, “Tatimet”. Ai parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa zbatimi do të nisë më 1 janar të vitit fiskal që fillon në ose pas datës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


