Ndërsa debati për ndikimin e inteligjencës artificiale (IA) në tregun e punës po thellohet, bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka identifikuar tre fusha që – sipas tij – do t’i rezistojnë automatizimit total.
Në një analizë të publikuar në blogun e tij “Gates Notes”, miliarderi thekson se aftësitë njerëzore që kërkojnë gjykim, kreativitet dhe përgjegjësi etike nuk mund të zëvendësohen nga algoritmet.
Sipas Gates, tre profesionet që do të mbeten thelbësore në epokën e IA-së janë:
1. Programimi, si “forma e re e shkrim-leximit dixhital”. Edhe pse IA mund të shkruajë kod, Gates thekson se ajo ende kërkon mbikëqyrje njerëzore për ta zhvilluar, korrigjuar dhe për të shmangur paragjykimet algoritmike.
2. Biologjia, që mbetet qendrore në inovacionin shkencor, nga bioteknologjia te mjekësia e personalizuar. “Gjykimi i biologëve është i pazëvendësueshëm në menaxhimin e krizave shëndetësore dhe zhvillimin e terapive të reja,” shkruan ai.
3. Energjia, ku ekspertët janë të domosdoshëm për tranzicionin drejt burimeve të pastra, si hidrogjeni i gjelbër dhe kapja e karbonit. “IA mund të ndihmojë në optimizimin e proceseve, por nuk mund të zëvendësojë kreativitetin njerëzor për zgjidhje të qëndrueshme,” shton Gates.
Një raport i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) mbështet këtë analizë, duke paralajmëruar se një në katër vende pune në mbarë botën është e ekspozuar ndaj ndikimit të IA-së. Sipas studimit, detyrat do të transformohen më shumë sesa do të zëvendësohen, ndërsa profesionet teknike dhe shkencore do të ruajnë qëndrueshmërinë më të madhe.


