Kryeministri Edi Rama ka përmendur me emocione të veçanta ish-deputetin socialist Bashkim Fino gjatë fjalës së tij në takimin përmbyllës elektoral të Partisë Socialiste në Lushnjë.
Në nisje të fjalës, kreu i qeverisë kujtoi Finon, i cili u nda nga jeta në vitin 2021, duke theksuar se ai vijon të mbetet një figurë e dashur dhe e respektuar në Lushnjë e më gjerë:
“Kujtoj deputetin e Lushnjës Bashkim Finon, dhe dua të besoj se po na shikon nga lart dhe se nga ana tjetër të gjithë ju që jeni këtu, bashkë me shumë më tepër akoma që nuk janë në shesh do të jenë pa diskutim në kutitë e votimit të dielën, se bashku me ata që po dërgojnë votat nga jashtë Shqipërisë do të bëni të mundur që nga numërimi i 11 majit të dalë fitorja më e bukur e PS”, tha kryesocialisti.
Duke u ndalur te zgjedhjet e 11 majit, Rama shprehu bindjen se PS do të dalë fituese në Lushnjë, Divjakë dhe në të gjithë vendin, duke falënderuar mbështetësit brenda dhe jashtë vendit për përkushtimin e tyre.
Ai vuri në dukje transformimin e bërë ndër vite në Lushnjë dhe Divjakë falë qeverisjes socialiste, nga qendrat urbane deri në zonat më të thella, duke e cilësuar këtë si rezultat të mbështetjes së qytetarëve dhe punës së përbashkët të PS.


