TIRANË– Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është nën hetim për privatizimin e kompleksit “Partizani” sot do të paraqitet në SPAK. Ky ishte vendimi i Apelit të GJKKO i marrë nga gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi të premten i cili vendosi detyrim paraqitje për kreun e PD.
Kreu i PD-së do të paraqitet në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të fundit të çdo muaji. Dy prokurorët, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kundërshtuan nxjerrjen nga izolimi të liderit demokrat në Gjykatën e Apelit. SPAK kërkoi rikthimin e Berishës në masën e arrestit të shtëpisë, masë nga e cila ai doli në 27 nëntor 2024 me vendim të GJKKO.
Ndërkohë në të njëjtën kohë me paraqitjen në SPAK, kryetari i PD do të presë vendimin e rëndësishëm, atë të vetë fatit të dosjes “Partizani” nëse do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit.
Vendimi do të merret nga gjyqtarja Flojera Davidhi e cila e nxori kreun e PD nga arresti shtëpiak pas 333 ditëve.
Gjithashtu PD ka thirrur mbështetësit në një protestë para SPAK në momentin kur Berisha do paraqitet para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Partia demokratike si organizatore e protestës akuzon Prokurorinë e Posaçme se po përndjek liderin e opozitës. Si funksionar i lartë shtetëror që dyshohet se ka kryer korrupsion, Berisha është marrë i pandehur bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit, akuzohet edhe për pastrim parash./Radar.al


