Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj qëndrimit të Serbisë për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke vlerësuar se Beogradi po shkel detyrimet e tij nga marrëveshja e dialogut për normalizimin e raporteve.
Sipas BE-së, marrëveshja e vitit 2023 obligon Serbinë që të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe zbatimi i saj mbetet kusht për avancimin e Serbisë dhe Kosovës drejt integrimit në BE dhe për përfitime nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ministri serb i Brendshëm, Ivica Daçiq, tha se Kosova nuk ka gjasa të bëhet pjesë e Interpolit, duke theksuar se vendi “ka dështuar më parë në përpjekjet e tij”. Zëdhënësi i BE-së theksoi se kundërshtimi i Serbisë përbën shkelje të nenit 4 të marrëveshjes së Ohrit dhe se progresi i Beogradit në rrugën evropiane varet nga përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve të saj.
Megjithatë, BE ende nuk ka saktësuar se cilat do të jenë pasojat për Serbinë për këtë shkelje, ndërsa disa shtete anëtare kanë kritikuar mungesën e masave të qarta ndaj Beogradit.


