Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e saj drejt integrimit evropian, pasi Beogradi konfirmoi blerjen e raketave balistike supersonike nga Kina.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se rruga drejt BE-së kërkon shmangien e varësive strategjike që nuk janë në përputhje me orientimin evropian.
“Një rrugë e besueshme evropiane nënkupton përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe një mirëkuptim të përbashkët për sfidat e sigurisë me të cilat përballet kontinenti ynë”, tha zëdhënësi.
Vuçiç pranon blerjen e raketave kineze
Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, pranoi se vendi i tij ka blerë raketa supersonike CM-400 nga Kina, armë me fuqi të konsiderueshme shkatërruese.
Me këtë marrëveshje, Serbia bëhet vendi i parë në Evropë që zotëron këtë sistem raketor dhe i dyti në botë pas Pakistanit, sipas të dhënave ndërkombëtare për armët.
Kjo ka ngritur shqetësime edhe për faktin se Serbia është e rrethuar nga vende anëtare të NATO.
Reagime nga Kroacia dhe Kosova
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, tha se do ta njoftojë aleancën për këtë zhvillim.
“Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe do t’i paralajmërojmë për këtë armatim të ri në arsenalin e ushtrisë serbe”, deklaroi ai.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se pretendimet e Serbisë se po armatoset për mbrojtje nuk qëndrojnë.
Sipas tij, blerjet e armëve nga Kina dhe Rusia janë bërë prej vitesh dhe tregojnë tendenca hegjemoniste të Beogradit në raport me vendet fqinje.


