Policia e Kosovës ka arrestuar sot, më 20 janar 2026, Arianit Sllamnikun nga Gjilani, i dyshuar për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barnave. Sipas burimeve të Prokurorisë Themelore në Gjilan, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij do të ndërmerren procedurat e mëtejshme hetimore.
Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu, konfirmoi se menjëherë pas marrjes së informacionit është formuar një ekip hetimor, që tashmë ka nisur trajtimin e rastit. Policia ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët që kanë marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga Sllamniku dhe mendojnë se mund të jenë dëmtuar, të paraqiten në Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim, duke garantuar konfidencialitetin e informacionit.
Rastin e kishte vënë në fokus edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila bëri thirrje që qytetarët t’i besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të ofruara nga profesionistë të licencuar shëndetësorë. Ministria theksoi se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet institucional.
Sipas mediave, Sllamniku dyshohet se ka ofruar barna për kafshë me pretendimin se ato mund të shërojnë fëmijët me autizëm, një praktikë që ka shqetësuar fort institucionet dhe organizatat e mbrojtjes së fëmijëve. Ai ka reaguar përmes një video-mesazhi, duke pretenduar se veprimet e tij janë vullnetare dhe pjesë e një “misioni” personal për të ndihmuar fëmijët autikë.
Rasti ka shqetësuar edhe Koalicionin e organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë – KOMF dhe Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve (PRAK). Këto organizata kanë theksuar se nuk duhet trajtuar vetëm si një incident individual, por si një fenomen që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve. PRAK ka nënvizuar se autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjatë dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes.


