Barcelona është kampione e Superkupës së Spanjës pas triumfit të thellë në finale përballë Realit të Madridit me rezultatin 2-5.
Finalja e luajtur në Xhedah nisi mjaft mirë për të besuarit e Ancelottit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 5’ me anë të Kylian Mbappe.
Gjithsesi goli i francezit ishte vetëm një “mirazh”, pasi deri në fund të pjesës së parë, katalanasit e Flick tundën rrjetën katër herë me anë të Yamal, Lewandowski, Raphinha dhe Balde.
Pjesa e dytë vijoi me të njëjtin ritëm për blaugranat, të cilët gjetën dhe golin e pestë me anë të Raphinhas.
Në minutën e 56’, Szczesny u largua me karton të kuq dhe 4 minuta më vonë Rodrygo shënoi golin e dytë për madrilenët, i cili shërbeu vetëm për statistikë.
Kështu Barcelona fiton për herë të 15-të Superkupën e Spanjës, teksa është trofeu i parë i Hansi Flick nën udhëheqjen e ekipit katalanas.
Një avantazh prej tre golash në fundin e pjesës së parë nga Barça në klasike, nuk ndodhte prej 77 vitesh.
Ishte viti 1948, kur Barcelona fitonte 3-0 pjesën e parë, për ta mbyllur 4-2. Më parë, pikërisht në vitin 1926, katalanasit mbyllnin po me rezultatin 0-3, ndërsa sfida përfundonte e gjitha 1-5.
Kjo finale tashmë i përket historisë.


