FC Barcelona mori një fitore spektakolare 5-2 ndaj Sevilla FC në La Liga, duke rikthyer diferencën prej katër pikësh nga Real Madrid.
Protagonisti absolut i ndeshjes ishte Raphinha, autor i një tregolëshi. Ndërkohë në fushën e lojës u rikthye edhe Gavi, i cili u aktivizua pas 203 ditësh mungesë për shkak dëmtimi.
Barcelona e zhbllokoi shpejt sfidën, pasi në minutën e 9 Raphinha realizoi nga pika e bardhë. Pak minuta më vonë katalanasit fituan një tjetër penallti dhe braziliani u tregua sërish i saktë për 2-0. Në minutën e 38 rezultati u thellua në 3-0 me golin e Dani Olmo, ndërsa për Sevillan shkurtoi diferencën Oso për 3-1.
Në pjesën e dytë skuadra e drejtuar nga Hansi Flick vazhdoi dominimin. Raphinha realizoi golin e tretë personal në minutën e 51 për 4-1, ndërsa më pas rrjetën e gjeti edhe João Cancelo për golin e pestë. Në minutat shtesë, Djibril Sow shënoi për Sevillan duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2.
Pas kësaj fitoreje Barcelona ngjitet në kuotën e 70 pikëve, ndërsa Sevilla mbetet në vendin e 14 me 31 pikë.


