Ish-presidenti Bamir Topi ka shpërthyer në kritika ndaj Sali Berishës dhe drejtuesve aktualë të Partisë Demokratike, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë për A2CNN, Topi tha se PD-ja ka nevojë për një “ezaurim total” të lidershipit të konsumuar dhe kërkoi largimin e Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët i krahasoi me “kuaj të lodhur” në një ekip që ka nevojë për riformatim.
“Duhet ndërruar trajneri, duhet ndërruar ekipi, duhet ndërruar filozofia. PD-ja ka nevojë për një ndryshim epokal,” – tha Topi.
Ai shtoi se është i gatshëm të rikthehet në PD, bashkë me shumë të tjerë, nëse në shtator deputetët demokratë kërkojnë publikisht falje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2008 – ndryshime që i quan fatale për sistemin.
“Nëse kërkoni falje për Kodin e 2008-s, do t’ju bashkohem. Të tjerë do vijnë pas meje.”
Topi kritikoi gjithashtu qëndrimin pasiv të demokratëve në reformën zgjedhore, duke i ftuar të dalin nga roli i “lojtarëve të konsumuar” dhe të marrin rol aktiv si “trajnerë” në rikonstruktimin e së djathtës.


