TIRANË– Janë zbardhur detaje të reja sa i takon krimit në familje të rregjistruar më datë 1 Shkurt në zonën e Kodrës së Priftit në Kryeqytet.
Nga hetimet lidhur me vrasjen e 41-vjeçarit Asim Gjoni nga babai i tij 74-vjeçar Hekuran Gjoni, është zbuluar se babë e bir janë konfliktuar tre ditë para se të ndodhte vrasja.
Pas marrjes në pyetje të të gjithë familjarëve të familjes Gjoni dhe marrjes në pyetje disa herë të autorit të krimit (Hekuran Gjoni), policia ka zbardhur shkakun e ngjarjes së rëndë, ku konflikti që solli krimin brenda në familje ka ndodhur për motive pronësie.
Kujtojmë se familja Gjoni jetonte prej vitesh tashmë në një banesë tre katëshe private në zonën e Kodrës së Priftit, ku babai i 3 djemëve dhe dy vajzave, Hekuran Gjoni pasi i kishte martuar të gjithë fëmijët, e kishte ndarë shtëpinë duke ia dhënë me akt dhurimi çdo kat secilit prej tre djemve të tij.
Katin e parë ia kishte dhuruar djalit të tij, Asimit dhe dy katet më lartë dy djemve të tjerë, por kati i parë ishte i ndarë në dy hyrje, ku në një jetonte Asimi me gruan dhe dy fëmijët e tij ndërsa në gjysmën tjetër babai dhe nëna e tij, hyrje të cilën do ta trashëgonte Asimi.
Por prej një muaji me prindërit jetonte edhe vajza e vogël e Hekuranit e cila ishte 3 herë e divorcuar dhe aktualisht jeton me prindërit në gjysmën e banesës së katit të parë dhe i kishte kërkuar disa herë babait të saj Hekuranit që t’i jepte asaj gjysmën e katit të parë.
Episodet e para të sherrit në familje kishin nisur tre ditë para krimit, ku 74-vjeçari kishte nisur t’i kërkonte letrat e shtëpisë djemve të tij, ku fillimisht Asimi nuk kishte pranuar t’i jepte. Sa i përket dinamikës së krimit ditën e ngjarjes, në banesë kanë qenë 4 persona, autori Hekurani, nëna e Asimit, motra e tij dhe viktima.
Ndërsa gruaja e Asimit dhe dy fëmijët e tij nuk kanë qenë në banesë ditën e ngjarjes, bashkëshortja e viktimës sqaron se atë ditë ka qenë në një udhëtim me koleget e punës. Asimi sapo ishte kthyer nga puna pasi punonte në ndërtim dhe kishte shkuar te prindërit për t’i përshëndetur dhe aty ka gjetur dy prindërit dhe motrën e tij duke ngrënë bukë.
Më pas është hapur sërish debati për pronën dhe gjysmën e pjesës së shtëpisë që e kërkonte motra. Pasi janë konfliktuar verbalisht dhe më pas fizikisht, 74-vjeçari Hekuran Gjoni ka marrë thikën e bukës duke vrarë djalin e tij./Radar.al


