SELANIK– Një shtetas shqiptar 39-vjeç sëbashku me një 35-vjeçar grek janë arrestuar nga efektivët e Policisë në Selanik, nën akuzën e kultivimit, trafikimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike.
Pas hetimeve u zbulua një hapësirë e projektuar posaçërisht me 75 bimë marijuane, të kultivuara në vazo për fidanishte, të vendosura në një banesë të përdorur nga të arrestuarit në një zonë të Selanikut.
Policia ka gjetur dhe konfiskuar pajisjet e përdorura për kultivimin e tyre, si dhe dy kamera sigurie.
Gjithashtu, të fshehura në furrën elektrike dhe në ambiente të tjera të shtëpisë, janë gjetur dhe konfiskuar shtatë pako marijuane, me peshë totale 2 kg e 349 gramë, si dhe dy pako me kanabis çokollatë me peshë 68 gramë. Në një banesë tjetër që përdorej në Selanik, u gjetën dhe sekuestruan 49 gramë marijuanë. Gjatë operacionit u sekuestruan 2 automjete, 980 euro dhe 2 celularë.



