Mijëra qytetarë ishin mbledhur të premten e 23 gushtit në Solingen të Gjermanisë, për të festuar 650 vjetorin e themelimit me këngë e hare. Por një sulm me thikë ka ndërprerë kremtimet dhe ka tronditur vendin.
Një person dyshohet të jetë autori i vrasjes së 3 personave e plagosjes së disa të tjerëve, i cili është ende në arrati, raportojnë mediat e huaja.
Zëdhënësi i policisë Aleksandër Kresta u citua nga mediat gjermane të ketë thënë se “momentalisht po supozojmë se ishte një person” pasi biseduam me shumë dëshmitarë okularë.
Policia tha gjithashtu se ata “nuk kanë të dhëna për vendndodhjen e tij”, as detaje rreth pamjes së tij.
Sulmuesi besohet të ketë goditur me thikë viktimat e tij në qafë, raportojnë mediat gjermane. Policia vendosi 40 automjete në ndjekjen e të dyshuarit sipas Bild, si dhe helikopterë.
Në një deklaratë në Facebook, kryetari i bashkisë së Solingenit Tim Kurzbach tha: “Sonte të gjithë ne në Solingen jemi në tronditje, tmerr dhe trishtim të madh. Të gjithë donim të festonim përvjetorin e qytetit tonë së bashku dhe tani duhet të mbajmë zi për të vdekurit dhe të plagosurit. Më thyhet zemra që ka ndodhur një sulm në qytetin tonë. Më lotojnë sytë kur mendoj për ata që kemi humbur. Lutem për të gjithë ata që ende luftojnë për jetën e tyre.
Gjithashtu ngushëllimet më të mëdha për të gjithë ata që iu desh ta përjetonin këtë, këto moment duhet të kenë qenë të tmerrshme.”
Solingen – një qytet në North Rheinland-ëestphalia i famshëm për industrinë e tij të çelikut – ka rreth 160,000 banorë. Shtrihet rreth 25 km në lindje të Düsseldorf dhe në veri-lindje të Këlnit.
Përktheu Radar.al


