Janë publikuar pamjet e vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla, i njohur si “Mondi”, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në Elbasan. Videoja tregon momentin kur autorët afrohen pranë automjetit të 43-vjeçarit dhe hapin zjarr disa herë, ndërsa njëri prej tyre shihet i maskuar me kapuç për të mos u identifikuar.
Atentati ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”. Mëhalla sapo kishte dalë nga zyra dhe ishte ulur në Range Rover-in e tij, kur u qëllua me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke humbur jetën në vend. Pas ekzekutimit, autorët u larguan me një automjet “Audi” të zi drejt aksit Elbasan–Librazhd.
Mëhalla zotëronte disa biznese në qytet, mes tyre “Hollywood Lounge Bar”, karburantin “Xhaxhi Oil” ku edhe u vra, si dhe kompaninë e transportit “EL-Taxi”.
Prej tre vitesh, ai ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Procedimi nisi për shkak të të kaluarës së tij jashtë vendit, ku ishte arrestuar si i dyshuar për trafik droge. Pas hetimeve të gjata, prokuroria kërkoi pushimin e çështjes, ndërsa dosja po shqyrtohej nga Gjykata e Elbasanit, pa një vendim të bërë publik deri tani.
Hetimet për vrasjen kanë çuar në arrestimin e Xhino Agos, ish-ortak i viktimës, i akuzuar për vrasje me paramendim në bashkëpunim, dhe të Kujtim Pishës, roje karburanti, i dyshuar për moskallëzim krimi. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Marselo Arani dhe Armando Kola, të dy të dyshuar si pjesë e grupit ekzekutor. Dyshohet se edhe Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, ka ndihmuar në organizimin e ngjarjes.
Dosja po hetohet nga një grup i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa priten rezultatet e ekspertizave për të zbardhur plotësisht atentatin.


