Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ka ndarë me publikun një nga momentet më të vështira të karrierës së saj, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”. Ajo tregoi se për shkak të një dëmtimi në kordat zanore, iu desh të qëndronte tri muaj pa kënduar, një periudhë që e përjetoi me shumë ankth dhe stres.
“Më ka ndodhur që mjeku më tha se, nëse nuk ndaloja tani, nuk do të këndoja më. Ato tre muaj i përjetova shumë keq, ishte dhimbje e madhe. Kisha ankth, nuk flija as gjumë”, rrëfeu këngëtarja.
Aurela foli gjithashtu për “Aurela Gaçe Show”, një serial me 12 shfaqe live në Top Channel, që sipas saj ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. “Ka qenë punë deri në detaj, deri në nivel ‘kafshëror’ nga i gjithë stafi. Publiku e ka përqafuar dhe e kërkon ende”, tha ajo.
Këngëtarja theksoi se muzika nuk është thjesht puna e saj, por vetë jeta e saj. “Nëse ma heq skenën, nuk kam më energji. Nuk e konsideroj ndonjëherë që jam në punë; kjo është pjesë e qenies sime”, shtoi ajo.
Aurela gjithashtu ndau mendime për durimin dhe mbështetjen ndaj artistëve të rinj, duke vënë në pah rëndësinë e respektit dhe vetëdijes për rrugëtimin artistik.


