Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e 7 tetorit në Kumanovë, ku një zyrtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) u qëllua me armë zjarri nga një makinë në lëvizje, në një rrugë pas ndërtesës së Komunës.
I plagosuri është Z.Sh., 43 vjeç, kandidat dhe bartës liste i BDI-së në komunën e Likovës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Ai mori katër plagë në parakrah dhe gju, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas ndërhyrjes mjekësore në spitalin e Kumanovës dhe më pas në atë të Shkupit.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, sulmi ndodhi në orën 13:54, kur dy persona të maskuar që udhëtonin me një automjet qëlluan me armë drejt tij, pranë një zone ku ndodhen ndërtesa të komunës, gjykatës dhe policisë.
Një person është ndaluar nga policia, ndërsa autori kryesor është ende në kërkim. Prokuroria ka nisur hetimet në vendngjarje dhe po mbledh prova materiale.
BDI e ka dënuar ashpër atentatin, duke pezulluar të gjitha aktivitetet zgjedhore për ditën e sotme.
“Jemi të shqetësuar nga ky akt barbar ndaj kandidatit tonë. Kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe transparent nga institucionet për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët,” thuhet në deklaratën e partisë.
Autoritetet theksojnë se, sipas të dhënave paraprake, ngjarja nuk duket të ketë motive politike, por të gjitha pistat janë nën hetim.
Ngjarja ka ndodhur vetëm dy javë para zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar tensionet në terren gjatë fushatës elektorale.


