Ka nisur sot vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, me të pranishëm 119 deputetë. Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë kandidatin për kryeparlamentar, votimi për të cilin po mbahet në formë të hapur.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar fillimisht Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por ajo nuk u zgjodh, duke dështuar të sigurojë mbështetjen e nevojshme.
Më pas, Glauk Konjufca propozoi Donika Gërvallën, e cila gjithashtu nuk arriti të merrte 61 votat e nevojshme për të marrë detyrën. Rezultati i votimit ishte 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenime.
Pas këtyre zhvillimeve, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën, e cila do të vazhdojë më 22 gusht në përpjekje për të konstituar legjislaturën e dalë nga zgjdhjet e 9 shkurtit.


