Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të emigrantëve është vënë në pranga nga autoritetet italiane në qytetin e Astit. Ai ishte objekt i një urdhër-arresti europian të lëshuar nga Gjykata e Drejtësisë në Tiranë dhe prej kohësh lëvizte në Itali nën një identitet të dyshimtë, duke kërkuar leje qëndrimi.
Sipas mediave italiane, arrestimi u krye gjatë një kontrolli rutinë nga Njësia e Imigracionit pranë komisariatit të Astit. Fillimisht u dyshua se ishte një emigrant pa dokumente të rregullta, por më pas verifikimet zbuluan identitetin e vërtetë dhe të kaluarën e tij kriminale.
Autoritetet e lidhin të ndaluarin me një rrjet të organizuar që merrej me trafikimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt vendeve të ndryshme evropiane, si dhe me kontakte të dyshuara në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe SHBA.
Gjykata e Apelit në Torino ka miratuar arrestimin dhe ka dhënë dritën jeshile për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Aktualisht, shqiptari ndodhet në paraburgim në pritje të përfundimit të procedurave ligjore.


