Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar në Dibër, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për një person të kërkuar nga drejtësia.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, ka arrestuar në flagrancë efektivin Megin Gani Ademi, 32 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër.
Sipas njoftimit të AMP-së, Ademi dyshohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësi i policisë nuk ka kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ishte në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës.


