Pas hetimeve të thelluara, Policia në Tropojë arrestoi 58-vjeçarin Imer Shpata, i dyshuar për dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij, e cila prej datës 22.07.2025 është larguar nga banesa dhe vijon të jetë e zhdukur.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Bujan, Policia sekuestruar dy armë zjarri automatike, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime, në mënyrë që të përcaktohet nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Tropojë u vunë menjëherë në kërkim të gruas, 48-vjeçares N. Shpata, pas njoftimeve nga të afërm se ajo kishte humbur kontaktet me bashkëshortin Imer Shpata dhe ishte larguar nga banesa, duke dyshuar se largimi i saj mund të jetë pasojë e dhunës së ushtruar prej tij.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa kërkimet për gjetjen e shtetases N. Sh. janë në vazhdim, pasi dyshohet për një ngjarje të rëndë kriminale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


