Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Itinerari”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm që përfshinte falsifikimin dhe shitjen e vizave hyrëse për në Shqipëri.
Si rezultat i hetimeve disajavore dhe koordinimit me Prokurorinë e Tiranës, u arrestua në flagrancë A. T., 22 vjeç, lindur në Bregun e Fildishtë dhe banues në Paskuqan, i dyshuar si organizatori kryesor i këtij aktiviteti kriminal.
Sipas hetimeve, A. T., në bashkëpunim me dy persona të tjerë – Y. Z., 22 vjeç, po ashtu nga Bregu i Fildishtë dhe banues në Paskuqan, dhe A. R., 46 vjeç, banues në Shkodër – kishte ngritur një skemë për falsifikimin e vizave hyrëse për Shqipëri. Dokumentet e falsifikuara më pas u shiteshin emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt shumës prej 1000 euro për vizë.
Gjatë periudhës hetimore janë dokumentuar 7 raste të këtij aktiviteti kriminal, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë ose raste të ngjashme.
Dy bashkëpunëtorët e A. T. janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërkohë që materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

