Një baba dhe djali i tij janë arrestuar në Selanik, të dyshuar për trafikim droge përmes kafenesë që menaxhonin.
Sipas autoriteteve greke, të dy shtetas me origjinë shqiptare, 60 dhe 33 vjeç, dyshohet se shpërndanin kokainë nga ambientet e biznesit të tyre. Ata do të dërgohen në prokurori për ndjekje penale.
Gjatë kontrollit në kafene, policia ka gjetur 10 pako me kokainë, me peshë totale 10.49 gramë, të fshehura në një hapësirë të maskuar me pllaka. Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tyre, në prani të autoriteteve gjyqësore dhe me ndihmën e një qeni antidrogë, janë zbuluar edhe tre pako të tjera me kokainë, me peshë 2.95 gramë.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar 1,320 euro cash, dy telefona celularë dhe një shufër metalike të palosshme.


